Austria do të vazhdojë të kontrollojë hyrjen e njerëzve në kufijtë tokësorë të saj dhe nuk do të pranojë azilkërkues për arsye ekonomike.
“Për sa kohë që Bashkimi Evropian nuk është në gjendje për të mbrojtur kufijtë e tij të jashtëm, Austria do të mbështetet në masat kombëtare,” tha Ministri i Brendshëm Wolfgang Sobotka, sot gjatë një konference shtypi.
Ai shtoi se është thelbësore për sigurinë kombëtare kontrolli dhe informacioni i njerëzve që hyjnë në Austri.
Që prej janarit të vitit të shkuar, Austria ka vënë patrulla kontrolli përgjatë kufijve tokësorë. Gjermania zyrtare është shprehur se do vazhdojë ta respektojë këtë vendim të qeverisë austriake, pavarësisht se është në kundërshtim me këshillat e Komisionit Evropian për të rivendosur lëvizjen e lirë brenda zonës Schenghen brenda muajit shkurt.
“Kthimi në Schenghen do të ishte i justifikueshëm vetëm nëse ka një zgjidhje evropiane për problemin e kufijve të jashtëm”, shtoi ministri Sobotka, duke theksuar se afati për në muajin shkurt ishte joreal.
Ministri i Brendshëm tha gjithashtu, se Austria nuk do të pranojë azilkërkues për qëllime ekonomike, por vetëm ato nga shtete të pasigurta për të jetuar. Ministri Sobotka i bëri thirrje vendeve evropiane për më shumë bashkëpunim për të rritur luftën ndaj terroristëve.