Gjatë tre viteve të qeverisë së tij, kryeministri Rama i ka dhënë një prioritet të rëndësishëm marrëdhënieve me Serbinë. Beogradi është kryeqyteti që ai ka vizituar më shumë si kryeministër dhe Aleksandar Vuçiç është kryeqeveritari botëror që ai ka takuar më shpesh—plot tetë herë, tre herë në vizita zyrtare, dy në Beograd dhe një në Tiranë, dhe pesë herë në kuadër të bashkëpunimit rajonal, përfshi inciativën gjermane për Ballkanin perëndimor. (Pas tij për nga shpeshtësia e takimeve vijnë Presidenti Turk Erdogan dhe Kancelarja Merkel.)
Këtë afrim të madh me Serbinë, Zoti Rama e ka argumentuar me idealet e tij të larta për paqen botërore dhe bashkëpunimin mes popujve, frymëzuar nga modeli i bashkëpunimit franko-gjerman i pas Luftës së Dytë Botërore. Ja si e ka përshkruar ai vetë këtë vizion:
Ne shqiptarët nuk e ndërtojmë dot të ardhmen pa kapërcyer dhe fshirë kufijtë e të shkuarës mes nesh dhe Evropës, mes Shqipërisë dhe Kosovës, mes shqiptarëve dhe serbëve. Le të mos ja lidhim këmbët vetes me litarin e të shkuarës.
Dhe përsëri:
Shqiptarët dhe serbët e këtij shekulli të ri mund të bëjnë përmes njëri tjetrit për veten e tyre dhe për Ballkanin atë që francezët dhe gjermanët bënë shekullin e shkuar për vetveten dhe Evropën.
Me këtë vizion përparimtar, Zoti Rama ka kërkuar dhe ka mbajtur takime të shpeshta me Zotin Vuçiç, të cilat janë kthyer në miqësi personale. Së kryeministra ata kanë nënshkruar një sërë protokollesh të përgjtihshme bashkëpunimi mes vendeve dhe kanë organizuar takime e forume mes bizneseve përkatëse. Zoti Rama ka shkuar edhe më tej në afërsinë e tij me Serbinë duke përkthyer në serbisht dhe promovuar në Serbi librin Kurban—pamfletin e tij politik dënues ndaj kundërshtarëve politikë në Shqipëri.
Por pavarësisht afrimit Rama–Vuçiç, përfitimet për Shqipërinë nga marrëdhëniet me Serbinë kanë qenë zero: marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve kanë mbetur të pandryshuara, investimet pothuajse zero, përfitimet ekonomike nga bashkëpunimi rajonal po ashtu kanë qenë inekzistente. Serbia nuk është as në dhjetë partnerët kryesorë te vendit, ndërkohë që investimet reciproke janë të papërfillshme.
Përfitimet politike të këtij afrimi për shqiptarët kanë qenë zero. Madje në marrëdhëniet ndërkombëtare Shqipëria ka bërë hapa prapa. Ndërsa integrimi evropian ka mbetur në vend, marrëdhëniet me Greqinë janë më të dobëtat që nga periudha e komunizmit, me Italinë ato janë zbehur, sikurse është humbur çdo lloj ndikimi apo bashkëpunimi me Maqedoninë dhe Malin e Zi.
Nga ana tjetër, situata politike e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka mbetur e pandryshuar, ndërsa interesat e shqiptarëve të Kosovës janë ndikuar për keq.
Përfituesi i vetëm i afrimit Rama-Vuçiç ka qenë Aleksandër Vuçiç, i cili e ka shfrytëzuar marrëdhënien për të forcuar dhe çuar përpara interesat e serbëve. Duket se Vuçiç me zgjuarsi e kuptoi egon megallomane të Edi Ramës për t’u dukur udhëheqës i kalibrit rajonal dhe evropian—madje nuk e mbajti dot talljen para mediave austriake teksa tha “unë jam një kryetar qeverie lokal vetëm i Serbisë ndërsa Edi mund të flasë më shumë sepse ai është një lider botëror”. Prandaj, ai e joshi Edi Ramën me takime e tribuna boshe dhe e shfrytëzoi këtë marrëdhënie sipërfaqësore për të përmirësuar imazhin e tij dhe të Serbisë.
Duke e paraqitur veten si perëndimor dhe parimor Vuçiç ka çuar përpara procesin e integrimit në BE të Serbisë. Në janar të 2014-ës, Serbia përfitoi statusin e vendit kandidat dhe që atëhere ka përfituar hapjen e gjashtë kapitujve të negociatave.
Ndërkohë, i armatosur me këtë petk europian Vuçiç ka mbajtur të bllokuar interesat e Kosovës duke dëmtuar njohjen e saj ndërkombëtare dhe integrimin e saj në skenën ekonomike dhe politike botërore.
Ajo që është më ironike është se minimi nga Vuçiçi i Kosovës ka patur pasoja direkte edhe mbi Shqipërinë në disa çështje që Rama ose ka qenë i painteresuar ose “miku” i Vuçiç nuk e ka përfillur.
Rasti më alarmant është bllokimi nga Serbia i vënies në punë të linjës ndërkombëtare të interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Linja 245 kilometra e gjatë i kushtoi Shqipërisë dhe Kosovës 75 milionë euro dhe kërkoi shtatë vjet për t’u ndërtuar. Ajo i mundëson Shqipërisë të importojë energji nga Kosova për të mbuluar një pjesë të konsumit bazë dhe ta kompensojë Kosovën duke dhënë energji për të mbuluar konsumin. Por linja nuk është vënë në punë për shkak se Serbia bllokon njohjen e sistemit të transmetimit kosovar nga rrjeti evropian i transmetimit.
Por e humbura e madhe e “miqësisë” Rama-Vuçiç ka qenë Kosova, pasi përpjekjet serbe kundër Kosovës kanë mbetur të pandryshuara. Për më tepër, miqësia ka shtuar trysninë ndaj udhëheqësve të Kosovës për lëshime në bisedimet me Serbinë, pasi Vuçiç e ka përdorur me mjeshtëri kartën e miqësisë me Ramën për të dëshmuar se ai nuk ka gjë me shqiptarët por janë udhëheqësit kosovarë ata që janë mendje ngushtë dhe të pavullnetshëm për bashkëjetesë me Serbinë që punon pa paragjykime për paqen dhe bashkëpunimin rajonal.
Dje, autoritetet franceze arrestuan Ramush Haradinaj bazuar në urdhër arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 me akuzeën për krime lufte gjatë viteve 1998-1999.
Menjëherë pas arrestimit, Kryeministri Vuçiç tha se do kërkonte ekstradimin e Haradinajt në Serbi, duke shtuar:
Askush nuk ka të drejtë të dëmtojë punën dhe pavarësinë e gjykatës së Serbisë. Nëse Evropa dëshiron ta lirojë, atëherë le ta lirojë. Le të tregojnë edhe njëherë se politika është më e fortë dhe më e rëndësishme se sa drejtësia. Ne do të kërkojmë që në mënyrë të përshpejtuar të procedohet ekstradimi i Haradinajt në Serbi.
Ky qëndrim i Vuçiç dhe qeverisë serbe ka qenë i pandryshuar gjatë gjithë kohës së lindjes dhe forcimit të miqësisë Rama-Vuçiç. Në nëntor të 2016, gjatë një takimi me kryeprokurorin e gjykatës së Hagës Vuçiç u shpreh se qeveria e Serbisë pret të ndiqen penalisht personat përgjegjës për krimet e luftës të kryera ndaj serbëve në Kosovë.
Ndërsa, Ministri i Jashtëm serb Daçiç, në fillim të dhjetorit 2016, në një konferencë për shtyp, kërkoi ndjesë për largimin nga takimi i Varshavës gjatë momentit kur po ligjëronte Ministri i Jashtëm kosovar Enver Hoxhaj duke u shprehur:
Unë mund të kem bërë gabim, por në atë moment ashtu u ndjeva. [..] Nuk kisha asnjë qëllim të dëgjoja leksionet e atyre që kanë kryer krime kundra serbëve.
Mesa duket Edi Rama me delirin e tij për t’u dukur si Charles de Gaulle nuk arrin të shohë se përpara ka Aleksandar Vuçiçin e serbëve dhe jo Konrad Adenauerin. Ose e shikon, por nuk i intereson sepse ai i vetë nuk i shërben shqiptarëve por delirit të tij surealist.