Koncesioni 30-vjeçar i lojrave të fatit

Koncesioni 30-vjeçar i lojrave të fatit

Qeveria Rama në tetor të vitit 2013 ndërmori një aksion për mbylljen e lojërave të fatit, pikave të basteve dhe kazinove të palicencuara.

Aksioni “Fund Marrëzisë” filloi me 15 tetor 2013. Gjashtë mijë forca policie dolën në terren dhe mbyllën 540 biznese të lojërave të fatit.

Operacioni kishte si qëllim bllokimin e sallave të basteve sportive, të cilat ishin të palicensuara, kishin mangësi në dokumentacion apo abuzonin me licencat e marra. Për të gjitha ato pika bastesh që nuk plotësonin kushtet teknike apo nuk kishin licencë ose leje për ushtrimin e aktivitetit, u bllokua aktiviteti, u sekuestruan objektet, si dhe pronarët e tyre u dërguan për ndjekje penale.

Pas fillimit të aksionit, më 25 tetor 2013, në një konferencë për shtyp, kryeministri Rama deklaroi se “Shqipëria nuk mund të jetë vendi ku mund të luhet kumar.”

Kryeministri tha se qeveria është e vendosur në këtë aksion dhe është në dijeni të “shtrirjes së këtij aktiviteti, lidhjet që ka pasur dhe vazhdon të ruajë me politikën dhe mbështetjen që ky aktivitet ka gjetur deri në të shkuarën shumë të afërt dhe mbulimin që ka siguruar falë korruptimit të politikës dhe gjithë zinxhirit të krimit ekonomik në Policinë e Shtetit.”

Por sot, katër vjet pas këtyre deklaratave, duket se asgjë nuk ka ndryshuar: biznesi i lojërave të fatit vazhdon të ruajë lidhjen me politikën e qeverinë.

Sipas ligjit të ri të lojërave të fatit të miratuar nga qeveria në vitin 2015, biznesi i kumarit do të monitorohet nga një kompani private.

Në bazë të nenit 48/2, të ligjit “Për lojërat e fatit” qeveria vendosi ndërtimin e Sistemit Qendror të Monitorimit On-line (SQMO) të lojërave të fatit, i cili ka për detyrë monitorimin on-line të të dhënave që do të përdoren nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF).

Në shator të vitit 2016, qeveria miratoi VKM-në me numër 647 ku përcaktoi kriteret e përzgjedhjes së operatorit që të do të ndërtojë këtë sistem.

Sipas VKM-së, kompania private do të marrë vlerën e investimit nga tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit për shfrytëzimin dhe mirë-mbajtjen e sistemit.

Tenderi u hap në datën 12 janar 2017, por si shkak i mosparaqitjes së ofertave ai u shty më datën 23 janar 2017.

Në tender morën pjesë dy kompani: konsorciumi “Admiral Sportwetten “GmbH & ATSI Spolka Akcyjna” & “MC Networking” shpk si dhe konsorciumi “Qualysoft” GmbH & “Comtrade” d.o.o & “Starsat International” shpk & “Communication Progress” shpk.

Fitues u shpall bashkimi i kompanive “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI Spolka Akcyjna” & “MC Networking” shpk. Kompania fituese do të menaxhojë për një periudhë 30 vjeçare monitorimin e biznesit të lojërave të fatit.

Sipas lajmit të publikuar në disa media, kompania fituese për ndërtimin e sistemit qendror të monitorimit online të lojërave të fatit është e lidhur me familjen e Kryeministrit Rama.

Kompania “MC Networking” shpk, pjesë e konsorciumit fitues, zotërohet 100% nga Endri Meksi, ish-ortak dhe bashkadministrator me vëllain e kryeministri Rama, Olsi Rama, tek shoqëria PEGASUS COMMUNICATIONS shpk.

Gjithashtu kompania MC Networking ka qenë partner lokal i kompanisë kineze EM.POS Limited, e cila paraqiti kërkesë për marrjen me koncesion të mbledhjes së TVSH-së.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>