Kodi Zgjedhor ka vdekur!

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Kodi Zgjedhor ka vdekur!

Nëse deri më tani nuk kishte ndodhur, tashmë është zyrtare: Kodi Zgjedhor ka vdekur!

Pavarësisht faktit që marrëveshja McAllister+ është cilësuar si triumf për demokracinë nga ndërkombëtarë të të gjithë ngjyrave, në fakt ka shkaktuar shumë dëme në sundmin e ligjit në Shqipëri.

Marrëveshja ka treguar se pushteti politik sundon mbi ligjin, se negociatorët ndërkombëtarë mund ta injorojnë ligjin. E si rezultat i kësaj marrëveshjeje, institucionet qeveritare përfshirë dhe KQZ-në, duken gjithnjë e më pak të interesuara për të zbatuar ligjet e miratuara nga parlamenti shqiptar.

Para së gjithash, shtyrja e datës së zgjedhjeve: Kodi Zgjedhor nuk parashikon asnjë mekanizëm për shtyrjen e datës së zgjedhjeve pasi Presidenti ka dekretuar një datë. Kështu, për të shtyrë datën e zgjedhjeve, qoftë edhe vetëm me një javë dhe brenda afatit kohor të parashikuar nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor duhet të ishte ndryshuar në mënyrë që të lejojne Presidentin të dekretonte një datë të re zgjedhjesh.

Por nëse e pranojmë se Presidenti dekretoi një datë të re zgjedhjesh duke përdorur autoritetin e tij dhe duke u bazuar në një marrëveshje të pranuar të dy partive më të mëdha në vend, kjo datë e re zgjedhjesh duhej të shoqërohej nga një grup afatesh të reja kohore: afat për regjistrimin e subjeve zgjedhore, afat për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore, afat për regjistrimin e listave shumëemërore të kandidatëve.

Në kundërshtim me atë ç’ka do të ishte logjike, marrëveshja Rama-Basha parashikonte afate të reja vetëm për regjistrimin e partive opozitare dhe listave të tyre të kandidatëve. Kështu nuk u lejua regjistrimi i koalicioneve dhe as i partive të tjera të vogla që nuk bënin pjesë në kampin opozitar.

Nëse PS e PD donin të garonin në zgjedhje vetëm, pa marrë pjesë në koalicione, është e drejta e tyre, por të ndalosh partitë e tjera të vogla nga kjo e drejtë është shkelje e Kodit Zgjedhor. Pasoja e këtij vendimi është tashmë e qartë: liderët e partive të vogla “i luten 2 liderëve të PS e Pd për t’i përfshirë në listat e tyre ose përndryshe përballen me zhdukjen nga sjeta politike.

Më pas janë bërë ndryshime në Ligjin për Partitë Politike, që detyrojnë televizionet private dhe publike të ofrojnë kohë televizive falas për partitë gjatë fushatës elektorale. Në një shfaqje të hapur hipokrizie, Shoqata e Mediave Audiovizive papritur ngriti alarmin për “lirinë e shtypit” dhe “mbrojtjen e pronës private”. Megjithëse mediat asnjëherë nuk ngritën zërin kur gazetarë u censuruan apo u dhunuan fizikisht, ata kanë të drejtë kur shprehen se ndryshimet në Ligjin për Partitë Politike janë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

Ndryshime të tjera të Ligjit për Partitë Politike të miratuara sërish si pjesë e marrëveshjes Mcallister+, përmirësojnë ndjeshëm monitorimin e financimit të partive gjatë fushatave elektorale. Gjithsesi Kodi Zgjedhor e limiton ndjeshëm monitorimin e financimit të partive politike jashtë 30 ditëve zyrtare të fushatës. Pra sërish, ndryshimet e votuara në Parlament, duket se nuk janë në një linjë me Kodin Zgjedhor.

Se të gjitha këto shkelje të Kodit Zgjedhor kanë sjellë një gërryerje të legjitimitetit të vendimve të KQZ-së dhe zbutje të sjelljes së partive politike, duket qartë nga ngjarja e fundit ku PD nuk arriti të dorëzonte listat e plota të kandidatëve bashkë me dokumentacionin e nevojshëm brenda afatit të 26 majit. Pak ditë më parë, KQZ i dha 24 orë afat PD-së për të plotësuar mangësitë në lista. Sipas kreu të sapozgjedhur  të KQZ-së Klement Zguri “subjektet elektorale kanë të drejtë të korrigjojnë parregullsitë e tyre.” Herën e fundit që kontrollova, Kodi Zgjedhor nuk ja jep këtë të drejtë asnjë subjekti elektoral. Nëse nuk zbaton afatet e mirë përcaktuara, nuk të jepet asnjë shans tjetër.

Nëse kryetari mund të ndryshojë datat e zgjedhjeve, nëse Parlamenti mund të miratojë ndryshimet ligjore që shkelin Kodin Zgjedhor, nëse KQZ mund të nxjerrë vendime që nuk bazohen në ligj, nëse partitë mund të shpërfillin afatet e mandatuara me ligj, çfarë mund të parandalojë kryetarin e qendrës së votimit nga hapja e qendrës një orë më vonë? Çfarë mund të ndalojë partitë politike nga vendosja e një flamuri tek qendra e votimit? Çfarë mund t’i ndalojë numëruesit e votave nga kthimi në të pavlefshme çdo votë për partinë kundërshtare?

Në shqip thuhet një shprehje që po rezulton e vërtetë çdo herë e më shpesh: peshku fillon të qelbet nga koka. “Peshku” ynë tashmë e qelbur, madje dhe “frigoriferi” ynë është prishur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>