Droga shqiptare tashmë është kthyer në një problem serioz për Italinë. Në mënyrë të veçanë, ky trafik ka rritur ashpërsinë e organizatave kriminale pulieze. Trafiku i drogës nga Shqipëria ka rritur gjithashtu vrasjet mafioze në Itali.
Këtë deklaratë e ka bërë Prokurori i Antimafias italiane Franco Roberti për radion italiane shtetërore RAI. Deklarata erdhi pas vrasjes para dy ditësh të katër personave në një atentat mafioz në zonën e Foxhias të Rajonit të Pulias. Në një atentat-pusi në rrugë u vra ndërsa udhëtonte me makinë Mario Luciano Rumito, një nga krerët e mafies të krahinës së Foxhias, dhe një bashkëpunëtor i tij. Kriminelët vranë, gjithashtu, dy dëshmitarë të rastësishëm të atentatit.
Numri i vrajseve mafioze në Foxhia—pjesë e rajonit të Pulias—gjatë këtij viti ka arritur në 17 raste. Mediat italiane raportojnë se ashpërsimi i krimit puliez ka të bëjë me kalimin e saj nga krimi i përqëndruar në bujqësi dhe turizëm në aktivitet për të kontrolluar rrugën e kalimit të drogës që vjen nga Shqipëria.
Nisur nga ky fakt, shefi i antimafies italiane Roberti është shprehur se mafia pulieze nuk mund të konsiderohet më mafie e dorës së dytë, pasi droga e ardhur nga Shqipëria e ka ndryshuar situatën në mënyrë dramatike. Ndër të tjera Roberti u shpreh se:
Sot konflikti [mes grupeve mafioze] është ndezur për trafikun e drgoës, veçanërisht drogës së lehtë [marijuana] që vjen nga Shqipëria. Ky është një biznes i jashtëzakonshëm që ushqyen urinë e klaneve që mbulojnë bregun e Adriatikut, nga Foggia e deri në pjesën tjetër të Evropës.
Muajt e fundit kemi vizituar Shqipërinë për të kërkuar bashkëpunim, ne u takuam në Romë me Ministrin shqiptarë të Punëve të Brendshme, i cili na premtoi një bashkëpunim më të madhe. Është e domosdoshme të thyejmë ligjin e heshtjes mafioze dhe të krijojmë një kulturë të ligjit që në atë vend është ende e pazhvilluar.