Një anije peshkimi me 370 migrantë mbërriti të shtunë në darkë në ishullin Lampedusa të Italisë, raporton Agjensia Franceze e Lajmeve (AFP).
Anija, e cila transportonte 367 njerëz, ndër to 13 gra dhe 33 të mitur, rrezikonte të fundosej për shkak të erës së fortë. Ajo u shoqërua nga rojet bregdetare dhe policia italiane në portin e ishullit, tha agjensia e lajmeve ANSA.
Aktualisht në qendrën e pritjes së emigrantëve në ishull strehohen rreth 1,160 njerëz, dhjetë herë më shumë se kapaciteti i planifikuar, tha Martello për ANSA.
Rreth 30 anije të tjera të vogla, kryesisht nga Tunizia kanë mbërritur tre ditët e fundit, me gjithsej rreth 500 migrantë, njoftoi shtypi italian.
Kryebashkiaku i Lampedusës, Toto Martello thirri një protestë, ditën e hënë, kundra “heshtjes së frikshme” të qeverisë italiane mbi këtë çështje.
“Lampedusa nuk mund ta përballojë më këtë situatë. Ose qeveria merr vendime të menjëhershme ose i gjithë ishulli do të hyjë në grevë”, tha Martello për agjencinë e lajmeve ANSA.
“Ne nuk mund ta menaxhojmë emergjencën dhe situata tani është me të vërtetë e paqëndrueshme”, shtoi ai.
Kryebashkiaku i Sicilisë, javën e kaluar urdhëroi mbylljen e qendrave të migrantëve në Siçili për të frenuar përhapjen e koronavirusit, një veprim që nuk u pranua nga gjykata italiane.