4 të infektuar me koronavirus në 24 orë – arrin në 55 numri i të prekurve

Nga Exit News
4 të infektuar me koronavirus në 24 orë – arrin në 55 numri i të prekurve

4 persona të prekur nga koronavirusi janë zbuluar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të personave të identifikuar në 55.

Informacioni i bë publik, të martën paradite, në komunikimin e përditshëm të Institutit të Shëndetit Publik.

Të gjithë personat e prekur kanë pasur kontakte me pacientët e mëparshëm.

Dy prej rasteve të reja janë pjesë e stafit mjekësor të spitalit Shefqet Ndroqi, duke e çuar numrin e mjekëve dhe infermierëve të prekur në 8.

Në spitalin Shefqet Ndroqi janë testuar deri tani 89 mjekë dhe infermierë, nga të cilët 8 kanë rezultuar të prekur.

Për të gjithë rastet e reja, ISHP po gjurmon kontaktet.

Në total, deri tani janë testuar 605 persona të dyshuar në vend. Ndërsa në 24 orët e fundit janë testuar 42 persona.

Personat e sëmurë gjenden në këto qytete:

— Në Tiranë: 38 persona;

— Në Durrës: 5 persona, përfshi një të moshuar që ndërroi jetë;

— Në Fier: 6 persona;

— Në Lushnje: 2 persona;

— Në Elbasan: 2 persona;

— Në Rrogozhinë: 2 persona.

Prej tyre, 25 janë të shtruar në Spitalin Infektiv të QSUT-së—tre prej të shtruarve janë në terapi intensive, mes të cilëve një 66-vjeçar nga Lushnja që ndodhet në gjendje më kritike.

Sot janë sjellë me urgjencë në Tiranë 2 persona të prekur, babë e bijë nga Fieri, të cilët ishin në karantinë në banesën e tyre, pasi gjendja e tyre është rënduar.

Të sëmurët e tjerë të shtruar janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Personat e tjerë të infektuar janë në gjendje të mirë shëndetësore, të izoluar në banesat e tyre.

Tetë prej të prekurve janë mjekë dhe infermierë.

Ata janë infektuar pasi i kanë shërbyer një pacienti të prekur me koronavirus, i shtruar në spital që prej 23 shkurtit. Ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia, dhe që nuk e ka dhënë këtë informacion tek stafi mjekësor.

Personeli mjekësor është në gjendje të mirë shëndetësore, pa simptoma dhe i vetëkarantinuar.

Për të lexuar disa statistika dhe analiza mbi përhapjen e koronavirusit në vend klikoni këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>