Ministria e Shëndetësisë së Kosovës do të dërgojë në Shqipëri rreth 60 mjekë dhe infermierë për t’u vaksinuar kundër koronavirusit, të premten, në Kukës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në një njoftim për shtyp, Ministria kosovare e Shëndetësisë njoftoi se lista e mjekëve të Kosovës i është dërguar autoriteteve shqiptare.
Shqipëria më herët ka shprehur gatishmërinë për vaksinimin e punonjësit shëndetësorë nga Kosova.
“Ministri (i Shëndetësisë së Kosovës, Armend) Zemaj e ka informuar homologen e tij, ministren Ogerta Manastirliu për listën e vullnetarëve për vaksinim dhe në koordinim midis autoriteteve të dy shteteve, do ta bëhet edhe aranzhimi i aspekteve logjistike dhe vaksinimi i tyre”, shkruhet në njoftimin e MSH-së.
Shqipëria premtoi në janar 2021 dërgimin e 100 dozave për vaksinimin e mjekëve kosovar.
Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka nisur procesin e vaksinimit. Vendi është në diskutim me Izraelin për furnizimin me vaksinat e Pfizerit dhe po pret dergesën e parë te nismes së Covax.