Gjoba e Kryebashkiakut Veliaj për PD-në është e falsifikuar

Gjoba e Kryebashkiakut Veliaj për PD-në është e falsifikuar

Gjoba e Kryebashkiakut Veliaj ndaj Partisë Demokratike për dëmet e shkaktuara gjatë protestës së opozitës në 8 dhjetor është e falsifikuar. Ekspertiza e Policisë Shkencore së Ministrisë së Brendshme ka vërtetuar se fletë-gjoba nuk është plotësuar nga ana e inspektorit bashkiak, emri i të cilit figuron në dokument.

Pak orë pas protestës së opozitës së dhjetorit, Zoti Veliaj bëri publike me shumë bujë një gjobë që bashkia i vendoste personalisht Kryetarit të PD-së Lulzim Basha për dëmtime të hapësirave publike dhe sjellje të pahijshme në publik. Gjoba kishte vlerësime të ekzagjeruara dëmesh deri në shifra qesharake, duke ngjallur që në fillim dyshime mbi profesionalizmin dhe ligjshmërinë e saj.

Për ta ndërlikuar situatën, inspektori Besmir Karaj, emri i të cilit shfaqej në fund të gjobës, deklaroi se ai nuk kishte hartuar asnjë fletë-gjobe dhe dokumenti ishte i falsifikuar. Për këtë arsye, ai e denoncoi këtë fakt në Prokurori.

Pas shqyrtimit të dokumentit, Policia Shkencore doli në përfundimin se shkrimi me të cilin është plotësuar gjoba nuk është i inspektorit Karaj. Mbi bazën e kësaj gjetjeje, prokuroria e Tiranës pritet të nisë hetimet për falsifikim të dokumentit shtetëror.

Duke komentuar rreth akuzave publike të inspektorit Karaj, Kryebashkiaku Veliaj deklaroi para disa javësh se “do të mbaj unë përgjegjesi. Nëqoftëse ajo firmë nuk është e atij do të mbaj unë përgjegjësi”.

Kryebashkiaku Veliaj e postoi imazhin e fletë-gjobës në profilin e tij zyrtar në Facebook, por pastaj e fshiu atë.

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>