Parlamenti holandez bllokoi sot hapjen e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë për këtë vit.
Sot në parlamentin holandez u votua një mocion i paraqitur nga deputetë të partive të koalicionit qeverisës, ku i kërkohej qeverisë holandeze të votonte në Këshillin Europian kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Mocioni mori votat e 105 nga 150 deputetët e parlamentit holandez. Kjo shumicë me mbi 2/3 është e papritur.
Ky mocioni u paraqit nga deputetët Pieter Omtzigt (Kristian-Demokrat), Anne Mulder (Liberal-Konservatorët), Nico Drost (Unioni Kristian), partitë e të cilëve janë pjesë e koalicionit të qeverisë holandeze.
Sipas vetë qeverisë, Shqipëria nuk ka arritur rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ministri i Punëve të Jashtme Stef blok u shpreh se rekomandimi i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë ishte i parakohshëm. Ai shtoi se Shqipëria nuk i ka përmbushur kriteret e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Bllokimi i hapjes së negociatave me Shqipërinë vjen pasi parlamenti holandez i kërkoi qeverisë që BE-ja të rivendoste vizat për shqiptarët.
Kryeministri Rama e përçmoi këtë kërkesë të parlamentit, duke thënë se ishte lëvizje populiste dhe se qeveria holandeze nuk kishte për t’i kërkuar BE-së rivendosjen e vizave.
Në fakt, qeveria holandeze ia paraqiti kërkesën Komisionit Evropian, i cili ka nisur shqyrtimin e saj dhe pritet të dalë me një vendim brenda tri javëve.
Sot në parlamentin holandez kaloi edhe një mocion që kërkonte të kundërtën për Maqedoninë e Veriut. Deputetët votuan pro hapje së negociatave me këtë shtet.
Një tjetër mocion që kishte të bënte me Shqipërinë nuk arriti të marrë mbështetjen e deputetevë. Ai ishte paraqitur nga deputetja e ekstremit të djathtë Vicky Maeijer. Ky mocionin kërkonte që negociata me Shqipërinë të mos hapeshin kurrë.