Trembëdhjetë marrëveshjet e reja të arritura ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë e kanë çuar në mbi 70 numrin e marrëveshjeve ndërmjet të dyja vendeve.
Megjithëse një pjesë e marrëveshjeve kanë përmbajtje ekonomike, njohësit e fushës së ekonomisë vlerësojnë se bizneset e të dyja vendeve akoma përballen me pengesa për shkëmbimin e mallrave, raporton KOHA.
Instituti “GAP” dhe ai “Riinvest” kanë publikuar rezultatet e monitorimit të zbatimit të marrëveshjeve tregtare Kosovë-Shqipëri.
Hulumtimi ka treguar se rreth 50 për qind e qëllimeve të këtyre marrëveshjeve janë arritur, 30 për qind e tyre janë realizuar pjesërisht dhe pjesa tjetër prej 20 për qind nuk janë realizuar fare.
Kritika, Instituti GAP ka edhe për marrëveshjen e cila ia ka mundësuar Kosovës hapjen e zyrës së saj doganore në portin e Durrësit për ta lehtësuar importin e mallrave.
Sipas Berat Thaqit nga Instituti GAP, lehtësirat nuk vlejnë edhe në rastet kur Kosova eksporton produktet e saj përmes këtij porti.
Me nivelin e zbatimit të marrëveshjeve nuk është i kënaqur drejtori i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani.
Ai thotë se marrëveshjet gjithmonë janë të rëndësishme, por nëse mbesin vetëm në letër, sipas tij, humb edhe efekti i mbledhjeve të dy qeverive.
Mbledhja e dy qeverive të martën është e gjashta me radhë që nga viti 2014, kur ishte mbajtur takimi i parë.
Artikull i publikuar në gazetën kosovare Koha.net.