8 pritshmëritë e Ramës për vitin 2020

Nga Redaksia
8 pritshmëritë e Ramës për vitin 2020

Kryeministri Edi Rama përmblodhi sot të gjitha çështjet që i kanë trazuar qeverisjen dhe që do të kenë vëmendje e tij vitin e ardhshëm.

Përmes një videomesazhi të gjatë në Facebook Kryeministri foli për 8 çështje që do të ketë prioritet në vitin 2020:

1-Rindërtimi i ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit:

“Me rindërtimin e shtëpive, si kryefjalë e vitit që po hyn […] Viti 2020, duhet të jetë viti i kurimit shembullor të plagëve të shkaktuara nga tërmeti. Deri në fund të vitit 2021 ato plagët duhet të jenë kthyer në shëmbëlltyra të forcës, besimit, shpresës shqiptare tek e ardhmja”.

2-Ligji anti-KÇK:

“Me të nisur viti i ri, tërmeti i shtetit do të bjerë në themelet e botës së krimit që i bëjnë karshillëk komunitetit, shoqërisë dhe këtij vendi […] Kush ka kryer krime duhet të provojë pastërtinë e burimeve të pasurisë, ose duhet ta humbasë pasurinë.”

3-Projekti politik me “fillimin e ri”

“…ideja […] për fillim të ri më ka pushtuar, qysh se plasi konflikti absurd politik i gjysmës së parë të vitit. Më tej, kur refuzimi i Këshillit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë shkaktoi tërmet psikologjik […], ky mendim mu përforcua si nevojë për fillim të ri. […] nuk jam nga soji i politikanëve që gënjejnë për vota […] mendojeni edhe vetë […], kthehuni një sekondë në kohë, pse do të duhej të gënjeja, të premtoja gjëra që nuk i besoj as vetë, kur me fuqinë që më ka dhënë Zoti e me forcën politike që udhëheq, kundërshtarët me thënë të drejtën, mund t’i mundja edhe me çerekun e premtimeve që kam bërë!”

4-Dixhitalizimi i shërbimeve për dokumentat zyrtare:

“Fundi i vitit 2020 duhet të jetë edhe fundi i kapitullit 30-vjeçar vargmalesh të pafundmë me letra nën sqetullën e popullit, që kërkon shërbim në sportelet e shtetit”.

5-Pronat dhe zhvillimi në vijën bregdetare:

“Zaptimi i plazheve dhe pamundësia e njerëzve të këtij vendi për të zgjedhur […] nëse duan të shkojnë në një plazh publik, apo në një plazh me pagesë, duhet të marrin fund. Po kjo është vetëm A-ja, sepse me radhë, duhet të ndalohet çdo lloj ndërtimi i mëtejshëm pa plan, pa kuptim, pa cilësi e pa asnjë përputhje me ambicien e Shqipërisë turistike. Shqipëria ka nevojë për projekte dhe investime që e kthejnë potencialin e vijës bregdetare në burim fuqie ekonomike…”

6-Minishengeni ballkanik:

“[…] nuk është Jugosllavi e re, plan serb për pushtimin ekonomik të rajonit apo amnisti për krimet e luftës, por është domosdoshmëri historike. BE vitin e ardhshëm do të vendosë 1.2 miliardë euro mbështetje për bashkëpunimin rajonal. Por edhe pa këtë, rritja e bashkëpunimit dhe pjesëmarrja e të dyja shteteve shqiptare (në nismë) […] është premisë më shumë që të rritet jo vetëm ekonomia e vendeve tona, por që të përmirësohet edhe klima e përgjithshme e të krijohen kushte më të favorshme për vetë dialogun mes Kosovës e Serbisë.”

7-Paketa anti-shpifje:

“[…] as nuk kam menduar, as nuk kam kërkuar, as nuk kam mbështetur ligj që kufizon lirinë e shprehjes. Kam votuar në parlament, bashkë më forcën time politike, ligj që u jep mundësi viktimave të shpifjes të mbrohen nga agresioni i portaleve mbi njeriun dhe lexuesve të portaleve të mësojnë të vërtetën e njerëzve të akuzuar padrejtësisht. Asnjë gjëmb në këmbë nuk i fut botuesve, gazetarëve e analistëve ligji kundër shpifjeve e fabrikimeve nëpër portale…”

8-Shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe ekonomia:

“Në vitin 2020 presim zbulime të reja nafte nga Shell ndërsa kompania Eni nis investimet në bllokun e Dumresë. […] Sot […] mund të duket si fantazi festash të fundvitit! Por jo, parashikimet realiste dhe jo ato më optimiste, flasin për një dhjetëvjeçar (i ardhshmi) që do të përmbysë pozitivisht parametrat ekonomikë të Shqipërisë falë zhvillimeve të reja nga nëntoka e vendit.

[…] revolucioni digjital do të shtrihet në fushën e luftës kundër informalitetit dhe përveç fiskalizimit online të transaksioneve, viti 2020 duhet të jetë edhe preludi i një transformimi rrënjësor përmes instalimit të sistemit, “Track and Trace” (Shëno dhe Gjurmo), ky sistem jo vetëm do t’i nxjerrë zbuluar më në fund, të gjitha marifetet 30 vjeçare në shitjen e naftës, pijeve alkoolike, kafesë, ujit, cigareve, medikamenteve, por edhe do të forcojë shumëfish sigurinë ushqimore të këtij vendi”.

2 komente

  1. Balo Bënça 30 Dhjetor, 2019 në 11:28 pm

    Hahahahahaaa
    Kena furra qi bajn nuk…
    E hejjjj lum si na qi rrojm në Puk more heeej..

  2. Kajo Karafili 30 Dhjetor, 2019 në 11:43 pm

    Shoku Pilo do ishte krenar per ty or djal

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme