
Italia raportoi të hënën 812 viktima të tjera nga koronavirusi duke e çuar totalin në 11 591 të vdekur. Ditët tragjike të epidemisë vazhdojnë teksa të infektuarit tashmë i kanë kaluar 100 mijë.
Autoritetet shëndetësore thanë se nga 477 359 mijë teste të kryera, të infektuar me Covid-19 janë diagnostikuar 101 739 persona, prej tyre 11 591 kanë vdekur dhe 14 620 janë shëruar – vdekshmëria 11.4 për qind.
Për të shëruarit shifra prej 1 590 të shëruar në 24 orë është më e larta e shënuar ndonjë herë.
Autoritetet presin që piku i epidemisë të arrihet pas 7 apo 10 ditëve të ardhshme.
Shtimi i të infektuarve të rinj gjatë 24 orëve ishte me 14 620 persona, mes tyre 595 punonjës të shëndetësisë.
Po sot autoritetet deklaruan vdekjen e 2 mjekëve me bilancin total të 63 viktimave mes stafit mjekësor. Që kur koronavirusi goditi Italinë, janë 8 358 të infektuar në radhët e shëndetësisë.
Për të nderuar viktimat bashkitë e gjithë Italisë do të ulin flamujt kombëtar në gjysmë-shtizë dhe do të mbajnë një minutë heshtje.
Lombardia mbetet rajoni më i prekur. Rreth 42 për qind e të infektuarve janë prej andej. Atje janë shënuar dhe shumica e vdekjeve – 6 818 ose rreth 58 për qind.
Në rang botëror janë 740 mijë të infektuar, prej të cilëve 35 mijë kanë vdekur – me 4.7 për qind vdekshmëri.