Megjithëse vendet evropiane kanë pranuar 710 mijë azilkërkues gjatë vitit 2016, nga azilkërkuesit shqiptarë vetëm 3,1 për qind janë pranuar. Kështu raporton Eurostat në një raport për dhënien e statusit të mbrojtjes nga gjykatat e 28 vendeve të Bashkimit Evropian.
Në rastin e Shqipërisë, megjithëse kërkesat kanë vazhduar të jenë të larta në numër, gjykatat evropiane kanë vendosur të mos japin statusin e mbrojtjes në 96,9 për qind të rasteve. Shqipëria bën pjesë në vendet e sigurta për jetën e njeriut, pra vend jo në situatë lufte apo konflikti, ndaj kërkesat e shqiptarëve për azil nuk kanë përparësi.
Një tjetër shkak për rënien e pranimit të azilkërkuesve në rastet kur jeta e tyre nuk kërcënohet, janë dhe politikat bllokuese që ndjekin vendet e BE-së ndaj emigrantëve, pas sulmeve terroriste që kanë ndodhur, shumica të kryera nga azilantë apo refugjatë.
Ndërkohë, qytetarëve kosovarë i është dhënë statusi i mbrojtjes nga gjykatat evropiane në vetëm 4,9 për qind të rasteve, atyre serb në 1,7 për qind të rasteve, e maqedonasve në 0,6 për qind të rasteve.
Sipas raportit, grupi më i madh i përfituesve të statusit të mbrojtjes në BE, në vitin 2016, janë sirianët (405 600 personat), pasuar nga irakenët (65 800 persona) dhe afganët (61 800 persona). Shumica e këtyrë qytetarëve e kanë përfituar statusin e mbrojtjes nga gjykatat gjermane.