Durrësi është një qytet i vogël, me një të kaluar të madhe dhe nëse po kërkon të ndërthurësh plazhin me historinë, keni gjetur vendin e duhur.
Durazzo në italisht, Durrës në shqip, dhe i njohur historikisht si Epidamnos an Dyrrachium ai është qyteti i dytë më i madh në vend me rreth 175,000 banorë.
Historia e tij daton së paku në Shekullin VII para Krishtit dhe vendndodhja në skajin e Detit Adriatik ka ndikuar që ai të jetë një nga qytetet më të rëndësishme ekonomike dhe historike të vendit. Një pjesë e perandorive të ndryshme ndër vite, përfshirë atë romake, bizantine dhe osmane kanë pasur qendrat e tyre në Durrës.
Durrësi ndodhet në mes të Rrugës Egnatia dhe vazhdimit të Rrugës Appia. Këto rrugë të lashta tregtare përfshijnë tërë rrugën tokësore nga Roma në Durrës, nëpër Maqedoni dhe Greqi, deri në Kostandinopojë, Turqinë e sotme.
Pas shpalljes së pavarësisë, ai ishte për pak kohë, kryeqyteti i Principatës së Shqipërisë. Durrësi u pushtua më pas nga fashistët italian dhe Gjermania naziste në periudhën e Luftës së II Botërore. Sot është një nga portet më të mëdhaja në Adriatik, që lidh Shqipërinë me Italinë dhe një numër vendesh të tjera fqinje.
Në Durrës mund të vizitoni Amfiteatrin më të madh në Ballkan gjatë lashtësisë, me 20 mijë vende. Amfiteatri u ndërtua nga Perandori Trajan në Shekullin II pas Krishtit, por u dëmtua nga tërmetet e mëdha ndër vite, duke u lënë në gjendje të mjerueshmë diku pas Shekullit 4 pas Krishtit.
Disa vjet më vonë, në këtë vend u ndërtua një kishëz e krishterë e mbuluar me afreske dhe mozaikë. Një kapelë tjetër u ndërtua në Shekullin XIII, por vetë amfiteatri u mbulua në Shekullin 16, pas pushtimit osman. Pjesërisht amfiteatri u zbulua në vitet 1960 nga Vangjel Toci dhe më pas nga Lida Miraj në vitet 1980. Ai ndodhet në një kodër në qendër të qytetit dhe shumë nga mozaikët dhe kishat ende mund të vizitohen.
Vende të tjera për tu vizituar përfshijnë Kalanë e Durrësit, e cila u ndërtua në fund të shekullit të 5-të nga Perandori Bizantin Anastasi I. Ajo u shkatërrua nga një tërmet në 1273 dhe u riparua dhe u përforcua në po ato vite.
Kur jeni në Durrës, duhet të gjeni kohë për të vizituar muzeun më të madh arkeologjik në vend, i cili ndodhet shumë pranë plazhit. Aty mund të gjeni shume artefakte të periudhës ilire, greke dhe romake. Disa nga gjetjet më të rëndësishme përfshijnë sarkofagët prej guri, mozaikët përfshirë , mozaikun ‘Dea e Durrësit’ dhe bustin në miniaturë të Venusit.
Pasi të keni mbushur shpirtin me histori, mund të drekoni në disa prej restoranteve shumë të mira buzë detit.
Durrësi ka një nga plazhet më të mëdhaja dhe të vizituara në vend. Është vendi i preferuar për pushime për shumë familje nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ai vizitohet çdo vit nga rreth 600,000 vizitorë.
Atëherë, çfarë po pret? Bëni gati çantat dhe shkoni në Durrës për një fundjavë për të zbuluar histroinë dhe shijuar diellin dhe detin.