Kryeministri Rama ka reaguar të shtunën në lidhje me marrëveshjen duke kujtuar se ideja e tij për minishengenin tashmë u arrit në Uashington.
Në një postim sqarues në Facebook, Rama shkruan se kur u bë publike kjo ide pati një reagim të madh nga Shqipëria dhe Kosova, ndërkohë e njëjta ide sipas tij sot po konsiderohet “historike”.
“E lexova me vëmendje marrëveshjen e nënshkruar në Zyrën Ovale dhe përtej kënaqësisë që u arrit – falë përfshirjes së Shteteve të Bashkuara – si edhe njohjes së Kosovës nga Izraeli (fort e rëndësishme e me rrjedhime potenciale shumë kuptimplota për ata që dinë ta lexojnë këtë fakt) – kam ndjesinë e hidhur të faktit se çka është firmosur dje, s’ka asgjë që nuk është pjesë e planit të kahershëm për Shengenin Rajonal.
Tani hajde ma thoni, si të mos më kujtohet mua që kur Aleksandër Vuqiqi erdhi në Durrës pas tërmetit, m’u turrën e më bënë Esad Pashë që nxorra Serbinë në det, ndërsa sot që “Minishengeni” në tokë, det dhe ajër është bekuar në Shtëpinë e Bardhë, shumica e damkosësve përshëndesin marrëveshjen, madje edhe vetë puseta digjitale sb nuk bëzan(?)!
Ajo që në shqip u damkos me vite si tradhëti kombëtare, në anglisht u kthye brenda një dite në arritje historike.”
Rama përfundon duke falenderuar SHBA-të për kontributin, kryeministrin dhe Presidentin e Kosovës.