Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së u shpreh se partia e saj po punon për të dalë forca e dytë politike në vend, në zgjedhjet parlamentare 2021.
“Ne e diskutojmë, shkojmë forcë e dytë, mendoj që raportet tona nuk janë veç numra, por prezantimi dhe alternative çka përfaqësohet. Unë dyshemenë e kam 34 deputet”, tha Kryemadhi për gazetaren Eni Vasili në emisionin Open, në Top Channel.
Ajo u shpreh se me Edi Ramën në krye të PS, fitorja e zgjedhjeve është e lehtë. “Po të ishte Pandeli Majko në krye të PS do ta kishim më të vështirë në zgjedhje”, shtoi Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së u shpreh se nuk e beson ekzistencën e koronavirusit. Sipas saj, “është virus laboratorik, është fabrikuar për arsye politike. Por me këtë le të merren shtetet e tjera”.
Ndërsa për hapjen e shkollave me turne për shkak të protokollit kundër përhapjes së virusit, Kryemadhi e këshilloi qeverinë të vërë në dispozicion të nxënësve, godinën e Kryeministrisë, Pallatin e Kongreseve dhe institucionet shtetërore.