Qeveria shqiptare ka miratuar marrjen e 180 milionë eurove kredi nga Bashkimi Europian, për luftimin e pasojave të Covid-19.
Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca, në një postim në Twitter të premten, shkroi:
“Qeveria shqiptare ka aprovuar ndihmën financiare prej 180 milionë euro të siguruara nga BE si pjesë e mbështetjes në luftën kundër COVID-19. Këto fonde do të kontribuojnë në forcimin e financave publike duke rritur mbrojtjen sociale dhe luftuar korrupsionin.”
Siç Exit News ka shkruar më parë, shuma prej 180 milionë eurosh është kredi me interes të ulët që BE-ja i jep Shqipërisë.
Ajo është pjesë e një pakete ndihme makro-financiare, prej 3,3 miliardë eurosh për vendet e Balkanit Perëndimor.
Fondet do të lëvrohen përmes fondeve IPA dhe do të shërbejnë për të mbështetur sistemin shëndetësor, për riaktivizimin e ekonomisë, si dhe për nevoja ekonomike dhe shoqërore shkaktuar nga pandemia.