Gjermania ka shtyrë deri në 30 shtator kufizimet ndaj gjermanëve që udhëtojnë drejt vendeve të treta jashtë BE-së, të cilësuara si zona të rrezikshme për përhapjen e Covid-19.
Pas kësaj periudhe, Gjermania do të vendosë hapjen ose jo individualisht për secilin shtet, në varësi të situatës epidemiologjike.
Të gjithë udhëtarët që hyjnë në Gjermani duhet të informojnë autoritetin shëndetësor përgjegjës për ta mbi adresën e tyre të qëndrimit në Gjermani.
Udhëtarët, të cilët fluturojnë nga Shqipëria për në Gjermani duhet të karantinohen dhe duhet të testohen në aeroport.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane ka deklaruar se rritja e numrit të infektimeve me koronavirus në shumë vende edhe brenda BE-së, mund të bëjë që Gjermania të vendosë kufizime dhe për këto shtete. Kështu për shembull numri i infeksioneve të reja aktualisht po rritet shumë shpejt në Francë, e cila nëse vazhdon me këto ritme, mund të bëhet pjesë e vendeve të listës së kuqe për Gjermaninë.
Vendimi i Gjermanisë për të mos lejuar udhëtimet ka shqetësuar kompanitë e udhëtimeve, të cilët në gjithë vendin numërojnë mbi 3 milionë të punësuar, puna e të cilëve po vihet në rrezik çdo ditë e më tepër.