Gjykata dënoi me 21 vjet burg Arbër Çekaj, i dyshuar për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë. Ai do të bëjë vetëm 2/3 e dënimit (14 vjet burg) sepse ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Avokati Maks Haxhia tha se ky është një vendim qesharak dhe skandaloz.
Në seancës e së martës, Cekaj i mohoi akuzat. Ai akuzoi policinë dhe prokurorinë se kanë dekonspiruar operacionin me qëllim mbrojtjen e trafikantëve të vërtetë, për të cilët ata punojnë.
Sipas Çekajt, autoritetet italiane kanë vendosur kamera në kontejnerët me banana dhe drogë, por policia shqiptare me telefonat e dytë ‘dekonspiruan operacionin për të fshehur trafikantët e vërtëtë’.
Çekaj mbrojti veten duke thënë se nëse do të ishte trafikant droge, do të kishte korruptuar ‘skaner, doganier me radhë’, për të siguruar që kontejnerët e tij nuk do të hapeshin.
Arbër Çekaj u ekstradua nga Gjermania më 19 shtator 2019 dhe doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda më 21 shtator. Gjykata konfirmoi masën e arrestit ‘arrest me burg’.
Menaxheri i kompanisë Donald Lushaj dhe shoferi i kamionit Armando Pezaku janë arrestuar në flagrancë që në shkurt 2018, kur u kap dhe sasia e kokainës në portin e Durrësit.