Të hënën, 28 shtator, kryeministri Rama lajmëroi hapjen e një kanali të ri komunikimi me qytetarët, në adresën [email protected]:
“Kjo është një adresë në dispozicionin e secilit e secilës prej jush për të çuar me video, nga celulari juaj, çdo pyetje që të dëshironi mbi çdo çështje të punës a të familjes suaj, komunitetit tuaj apo vendit tonë, që ka lidhje me qeverinë”.
Kjo rubrikë është një mjet i vjetër i propagandës politike të Kryeministrit Rama i përdorur që prej kohës së opozitës, 2013, me qëllim krijimin e idese se udhëheqësi dëgjon zërin e popullit, e më pas vendos. Kështu:
Në janar 2013, Rama, atëherë kryetar opozite publikoi numrin e tij të telefonit dhe i ftoi qytetarët të komunikojnë direkt me të:
“Nëse doni të komunikoni në mënyrë të drejtpërdrejtë me mua, shkruani në SMS emrin tuaj dhe adresën e emailit në numrin 0662030272”.
Në 18 gusht 2015, Rama prezantoi rubrikën “PyetKryeministrin?”. Përmes kësaj rubrike, Rama premtoi t’i përgjigjej pyetjeve të qytetarëve live në Facebook dhe Twitter:
“Do t’i përgjigjem pyetjeve .. mbi çdo temë të interesit tuaj [..] Për të lehtësuar rrugën e komunikimit pas çdo pyetjeje vendosni ?#PyetKryeministrin?”.
Në 9 korrik të 2017, Rama përmes profilit të tij të Facebookut, njoftoi hapjen e faqes zyrtare të platformës së “bashkëqeverisjes”. Platforma mban të njëjtin emër si sllogani zgjedhor i PS-së, në 2017: “Për Shqipërinë që duam”:
“Për çdo politikë, reformë apo projekt ligj; për çdo problem në komunitet apo në familje që ka lidhje me shtetin; për çdo sjellje abuzive apo marrëdhënie të vështirë në zyrat e shtetit”.
Në 31 gusht 2018, Kryeministri Edi Rama prezantoi rubrikën “Përgjigja Ime”, në Facebook, të cilën sërish e prezantoi si rubrikë të re:
“Dua t’ju prezantoj një “rubrikë” të re në funksion të rritjes dhe shpresoj, përmirësimit të komunikimit. Një përgjigje sy më sy, për një koment tuajin a temë të ditës.”
Në 20 mars 2020, gjatë pandemisë, në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, qytetarët shkruanin shqetësimin e tyre, sëbashku me numrin e telefonit, dhe Kryeministri i merrte në telefon:
“Ne jemi në dispozicion do të bëjmë ca mundemi, shkruani te shqiperiaqeduam.al do të telefonoheni dhe mbasi merret arsyeja zgjidhet kur ka zgjidhje”.