Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi se policia nuk do të përgjojë por vetëm do të mbikqyri.
Gjatë seancës së Komisionit për Sigurinë, ai tha se në ligjin për Policinë e Shtetit janë bërë rishikime në lidhje me kompetencën e policisë për të përgjuar.
“Janë bërë rishikime në terminologji. Pati keqkuptime. Për arsye se shumë veta e keqkuptuan sikur bëhej fjalë për ndërhyrje në ligjin e përgjimeve, apo dhënie kompetencash Policisë për të bërë përgjime.
Është zëvendësuar fjala përgjim ambiental me mbikqyrje. Dhe kjo besoj që e ka zhvlerësuar dhe adresuar në thelb shqetësimin e disa kolegëve, dhe përfaqësues institucionesh.”
Në shkurt të 2020, qeveria miratoi disa ndryshime në ligjin për policinë, të cilat i jepnin policisë së shtetit të drejtën të përgjojë dhe gjurmojë qytetarët vetëm me vendim të saj për një periudhë deri në tre muaj, pa kërkuar fare leje nga gjykata.
Exit shkroi më parë në një artikull se ky projektligj vetëm shkel Kushtetutën dhe ligjin, por dhe parimin e ndarjes së pushteteve, duke i dhënë qeverisë kompetencat e prokurorisë.