Franca ka riatdhesuar 25 azilkërkues shqiptarë. Ata u kthyen me një avion të veçantë në Aeroportin e Rinasit.
“Mesditën e sotme, me anë të një fluturimi me charter u riatdhesuan në Rinas, 25 shtetas shqiptarë që kishin kërkuar azil në Francë.
Ky operacion është zhvilluar në bazë të një marrëveshjeje me autoritetet përkatëse të BE-së, me të cilët janë bashkërenduar veprimet. Çdo grup të riatdhesuarish shoqërohet me një eskortë të Policisë shqiptare.
Operacione të tilla riatdhesimi do të vijojnë edhe gjatë tre muajve në vijim.”
Shqipëria, që prej 2016 renditet ndër vendet e para për numrin e emigrantëve të paligjshëm dhe azilkërkuesve të pabazë.
Edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian mbi vlerësimin e përmbushjeve të kushteve nga Shqipëria për lëvizjen pa viza në zonën shengen, i kërkohet qeverisë të “adresojë problemet me emigracionin e paligjshëm dhe azilkërkuesit e pabazë, përfshirë identifikimin dhe adresimin e arsyeve pse ndodh kjo”.