10 naftëtarët e Ballshit kanë lënë grevën e urisë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, pas 18 ditësh grevë. Ka qenë këmbëngulja e mjekëve se vazhdimi i grevës do të ishte i rrezikshëm për naftëtarët, ajo që i ka detyruar ata të dalin nga greva.
Në vend të tyre, do të nisin grevën, naftëtarë të tjerë, mes të cilëve shumica do të jenë gra.
Naftëtarët janë shprehur të vendosur për të mos u tërhequr nga kërkesa e tyre, për marrjen e rrogave të prapambetura prej më shumë se një viti.
Ata i kanë bërë thirrje qeverisë që të ndërhyjë por kryeministri Rama e ka bërë të qartë se nuk do të ndërhyjë në marrëdhënien mes naftëtarëve dhe kompanive private.
Një ditë më parë, një grup naftëtarësh u takuan me përfaqësues të firmës, e cila pretendon se ka në administrim Uzinën e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh.
Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj deklaroi se gjatë takimit ka pasur premtime boshe dhe nuk është ofruar asnjë zgjidhje për pagat e prapambetura e rifillimin e punës. Për këtë arsye greva do të vazhdojë.