Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi se do shtojë 10 grupe të reja në terren për testimin e të infektuarve me Covid-19.
Gjatë takimit me ekipin e epidemiologëve të Tiranës, ajo u shpreh:
“Pas rritjes me 30% të kapaciteteve të ekipeve të epidemiologëve për gjurmimin, hetimin dhe testimin, rrisim edhe me 10 grupe të reja ekipet e terrenit në Tiranë, nisur nga shtimi i numrit të të infektuarve për përballimin e situatës gjatë vjeshtë-dimrit”
Manastirliu deklaroi se ndër prioritetet kryesore për testim janë shkollat, mësuesit dhe nxënësit, për të kufizuar përhapjen e infeksionit.
“Testimet janë rritur me 3 herë krahasuar me muajin Qershor, sigurisht kjo falë punës që epidemiologët kanë bërë, kapaciteteve të shtuara të Institutit të Shëndetit Publik, por edhe punës në terren, sepse ashtu sikurse ne e kemi thënë, testimi pa gjurmimin dhe pa izolimin do të ishte vetëm një hallkë, por nuk do të ishte plotësim rigoroz i strategjisë për kufizimin e përhapjes së infeksionit”