Ministri i Jashtëm grek Dendias i bëri thirrje BE-së të ekzaminojë veprimet e Turqisë kundrejt Greqisë. Në konferencën për shtyp në Tiranë, Dendias tha se:
“Turqia po shkel kriteret themeltare të integrimit në BE. Jam detyruar t’i dërgoj një shkresë komisionerit të zgjerimit duke theksur se Turqia po shkel detyrimin doganor dhe të marrë masa për këtë gjë.
I kam kërkuar komisionit të ekzaminojë vendimet e Turqisë deri në heqjen e bashkimit doganor.
Të ndalojë eksportet e materialeve ushtarake drejt Turqisë”.
Prej 20 gushtit, ka pasur konflikt të vazhdueshëm mes Greqisë e Turqisë, pasi kjo e fundit kishte dërguar anije për kërkime dhe shpime për gaz e naftë në brigjet e ishullit grek Kastellorizo. Prania e anijeve turke në brigjet e ishullit, ka bërë që dhe Greqia të dërgojë anijet e veta për të vëzhguar punën e anijeve turke.
Bashkimi Europian e ka paralajmëruar disa herë Turqinë për vendosjen e sanksioneve ndaj saj për shkelje të ujërave territoriale të vendeve të BE-së, nëse ajo nuk tërhiqte anijen.
Vitin e kaluar, BE miratoi një sërë sanksionesh ndaj Turqisë pas operacioneve të paautorizuara të gazit në ujërat qipriote.