Aleatët qeverisës përplasen për shpërbërjen e ekipit hetimor anti-korrupsion

Nga Bledar Qalliu
Aleatët qeverisës përplasen për shpërbërjen e ekipit hetimor anti-korrupsion

Dy partitë më të mëdha të koalicionit qeverisës në Kosovë u përplasën për vendimin e Kryeministrit Avdullah Hoti për të shpërndarë ekipin hetimor anti-korrupsion në Ministrinë e Brendshme.

Hoti e njoftoi vendimin e tij javën e kaluar, duke argumentuar se kjo nevojitej për të “forcuar ekuilibrin e pushteteve” në Kosovë.

Vendimi nënkupton se, duke qenë pjesë e qeverisë, ekipi me më shumë se 10 vjet përvojë, nuk mund të hetojë qeveritarët e lartë dhe se ekzistenca e tij dobëson punën e zyrës së prokurorit.

Aleati i koalicionit qeverisës, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kundërshtoi këtë vendim të shtunën.

“Shpërbërja e task forcës anti-korrupsion shkakton pasiguri ligjore,” shkroi Haradinaj në media sociale.

Ai shtoi se ekipi hetimor ka hetuar shumë raste të profilit të lartë, pavarësisht nga përkatësia politike e të dyshuarve. Haradinaj theksoi nevojën për një reformë të institucionit dhe kritikoi shpërbërjen e tij: “Çdo vendim i paplanifikuar mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura”, deklaroi ai.

Hoti u përgjigj se shpërbërja e ekipit hetimor nuk ka ndikuar në punën kundër korrupsionit që vazhdojnë të bëjnë ish-punonjësit e tij.

“Puna e zyrtarëve që kanë qenë brenda task forcës në Policinë e Kosovës vazhdon pa ndonjë ndryshim në trajtimin e rasteve të krimit dhe korrupsionit,” shkroi kryeministri Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Facebook të shtunën.

Ai shtoi se ish-punonjësit e këtij departamenti do të vazhdojnë të luftojnë korrupsionin “pa asnjë ndërhyrje nga askush”.

LDK dhe AAK janë dy partnerët më të mëdhenj të koalicionit qeverisës. Në qershor, koalicioni mori 61 deputetë, minimumin e nevojshëm, për formimin e Qeverisë Hoti.

Vendimi i kryeministrit për të shpërbërë ekipin hetimor anti-korrupsion erdhi pas raporteve pozitive për punën e këtij të fundit nga Komisioni Evropian dhe EULEX.

Komisioni Evropian dhe ambasadori gjerman në Kosovë e kritikuan vendimin e qeverisë për shpërbërjen e ekipit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>