Italia do të vendosë masa të reja kufizuese në të gjithë vendin të mërkurën të cilat përfshijnë kufizim qarkullimi natën, mbyllje të dyqaneve dhe kufizime në udhëtimet brenda vendit – por nuk do të ketë një karantinë kombëtare.
Kryeministri Giuseppe Conte njoftoi masat e reja gjatë seancës parlamentare të hënën.
Masat përfshijnë mbylljen e qendrave tregtare gjatë fundjavave, përgjysmimin e numrit të personave në transportin publik, kufizimin e lëvizjes në rajonet më të infektuara dhe zhvillimin e mësimit në distancë për shkollat e mesme.
Do të ketë gjithashtu kufizime specifike për rajonet ku shkalla e infeksionit është më e lartë. Conte nuk dha detaje mbi këto masa rajonale por ai tha se ato do të adaptoheshin vazhdimisht bazuar në shkallën e infeksionit në këto zona.
Kryeministri Conte deklaroi se qeveria duhet të ketë një qasje më fleksibël se sa një karantinë kombëtare.