Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në 19 nëntor seancën paraprake për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Prokuroria paraqiti prova të reja dhe gjykata i ka dhënë kohë Llallës dhe avokatëve të tij që të njihen me dokumentet e reja.
Në mars 2020, SPAK mbylli hetimet për Llallën dhe dërgoi në gjykatë çështjen. Llalla akuzohet për fshehje të pasurisë. Kjo vepër penale, sipas Kodit Penal, dënohet deri në 3 vjet burgim.
Hetimet ndaj tij nisën në mars të vitit 2018 dhe u zgjatën vazhdimisht. Në mars të vitit 2019 Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi t’i zgjaste edhe me tre muaj hetimet ndaj Llallës.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u hetua për katër vepra penale; fshehje pasurie, mosdeklarim i të ardhurave në kufi, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, por në fund tre akuza u rrëzuan dhe mbeti në fuqi vetëm ajo për fshehje pasurie.