“Ne jemi të bindur se, për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të Kosovës për të ardhme evropiane, Kosova duhet ta kuptojë dhe pranojë se nuk ka alternativë përveç dialogut.”
Kështu deklaroi zëdhënësi për Çështje të Jashtme i Bashkimit Evropian, Peter Stano për Radion Evropa e Lirë.
Stano vlerësoi gatishmërinë e kryeministrit Hoti për të vijuar bisedimet, pavarësisht situatës së brendshme të vendit.
“Shoqëria e Kosovës është mjaft e pjekur për të kuptuar se dialogu nuk mund të përdoret për argumente afatshkurtëra politike,” u shpreh Stano.
Deklarata e tij vjen pasi një ditë më parë presidentja në detyrë Vjosa Osmani dhe ish-kryeministri Haradinaj bënë thirrje për ndalimin e bisedimeve me Serbinë, pas nisjes së proceseve gjyqësore në Hagë për drejtuesit e lartë të vendit dhe UÇK-së.