Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish-kryeministri Isa Mustafa reagoi, të martën, ndaj akuzave që qeveria Rama po hedh ndaj Lulzim Bashës për hetimet ndaj UÇK-së.
Në një reagim në Facebook, Mustafa shkruan se ka qenë vetë kuvendi i Kosovës ai që ka miratuar ngritjen e Gjykatës Speciale dhe jo Basha.
Sipas tij, është shumë e rëndë që në vitin 2020 të diskutohet për ndikimin e shqiptarëve në hetimet kundër UÇK-së.
Në Facebook, Mustafa shkruan:
“E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të “zbulojmë” se dikush nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjestarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë të së vërtetës. I bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nevojitet më shumë se çdoherë më parë.
Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës.
Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte.”