Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ritheksoi “shqetësimin serioz” të Komsionit Europian mbi faktin se Shqipëria nuk ka bërë progres në fushën e lirisë së shprehjes.
Gjatë një diskutimi në Forumin e mbi Zhvillimin e Medias të organizuar nga OSBE, Soreca solli në vëmendje dhunën ndaj gazetarëve dhe qytetarëve gjatë protestave. Ai tha se progres raporti për Shqipërinë bëri thirrje ” për tolerancë zero për kërcënimet apo sulmet ndaj medias, përfshirë dhe ato që vijnë nga politika”
Soreca pohoi se ligji i medias duhet të ndryshohet në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe duhet të jetë ” prioritet i rëndësishëm”
Ai shtoi:
“Unë inkurajoj autoritetet shqiptare të përdorin çdo mundësi për të vendosur një dialog me median. Është koha për të filluar konsultimin me komunitetin e medias mbi projektligjin për median, duke marrë parasysh ekspertizën e aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë për të siguruar një ndikim pozitiv në paketë. ”
Ambasadori theksoi rëndësinë e cilësisë së gazetarisë gjatë pandemisë.
“Ekzistojnë dy karakteristika kryesore në gazetari, ndjenja e detyrës në zbulimin e keqbërjes, dhe ndjenja e përgjegjësisë në raportimin e fakteve.”