Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu u takuan në Jerevan me kryeministrin armen, Nikol Pashinian për të biseduar për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit lidhur me luftën në Nagorno Karabak.
Pashinian citohet të ketë thënë se armenët “gjithmonë e kanë ndjerë mbështetjen e Rusisë” gjatë luftës, përfshirë “mbështetjen” personale të presidentit Vladimir Putin dhe Qeverisë ruse.
Ministri rus i Mbrojtjes, Shoigu i ka thënë Pashinianit se paqeruajtësit rus e vendosur për të monitoruar armëpushimin kanë “mbuluar pothuajse të gjithë territorin” e rajonit të shkëputur azerbajxhanas të Nagorno Karabakut, që prej se më 10 nëntor u arrit marrëveshja e armëpushimit, që u ndërmjetësua nga Rusia.
“Në total prej 23 postblloqesh janë vendosur. Ne po monitorojmë rrugën në Stepanakert”, tha Shoigu, duke iu referuar qytetit më të madh në Nagorno Karabak, që ka më së shumti banorë armenë etnikë.
“Qëllimi ynë kryesor është që të parandalojmë gjakderdhjen”, citohet t’i ketë thënë Shoigu kryeministrit armen, Pashinian.
Në ditët në vijim, ky delegacion i zyrtarëve të lartë rusë, pritet të qëndrojnë edhe në Baku të Azerbajxhanit.
Vizita e delegacionit rus erdhi pasi një ditë më parë, presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev njoftoi se trupat kanë rimarrë kontrollin e qarkut Agadam, që gjendet në verilindje të Nagorno Karabakut. Rimarrja e këtij qarku, është pjesë e marrëveshjes së armëpushimit.
Agdam dhe shtatë qarqe të tjera të Azerbajxhanit në dhe përreth Nagorno Karabakut, ishin okupuar nga separatistët armenë etnikë, të cilët kanë luftuar me forcat azerbajxhanase që prej fillimit të viteve të 90-ta.
Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia, Azerbajxhani do të marrë nën kontroll të shtatë qarqet, si dhe territoret që forcat azerbajxhanase kanë arritur të marrin në luftimet që nisëm m 27 shtator.
Në luftimet që zgjatën për gjashtë javë, forcat azerbajxhanase kanë arritur të marrin katër qarqe.
Botuar në Radio Evropa e Lirë.