Kryeministri Edi Rama e ka quajtur ‘shembull skandaloz’ pjesëmarrjen e presidentit Meta dhe Monika Kryemadhit në festën e ditëlindjes së një aktori humori, gjatë fundjavës, ku kishte të pranishëm shumë njerëz.
Gjatë një konference për shtyp, Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për këtë veprim të Metës, duke thënë:
“Shembulli më skandaloz i shkeljes së ligjit nga presidenti zonja e parë dhe gjithë çeta e tyre.
Ndërkohë që është shumë e qartë për të gjithë se nuk mund të ketë grumbullime më shumë se 10 persona dhe nuk mund të bëhen festa e dasma e deri edhe ceremonitë e dhimbshme mortore me më shumë se familjarët.
Ata na shfaqen në një spektakël të pështirë të karshillëkut, jo vetëm me ligjit por edhe me vetë shëndetin e të tjerëve në rast se nuk janë të interesuar për shëndetin e tyre.”
Presidenti Meta, kryetarja e LSI-së Kryemadhi dhe shumë prej të ftuarve në ditëlindje, u gjobitën nga policia për shkelje të aktit normativ që ndalon grumbullimin e më shumë se 10 njerëzve në një ambient.