Kryetari i PD, Lulzim Basha tha se vendimi i “qeverisë mbylljen e shkollave dhe zhvillimin e mësimit të kombinuar me mësimin online” është tregues se Rama nuk ka plan për pandeminë.
Pas takimit me kryetarin e Komunës së Dibrës së Madhe, Hekuran Duka, ai tha për gazetarët se:
“Për këdo që e ka dëgjuar këto dy deklarata në më pak se 24 orë, është e qartë që Rama ka dështuar me kontrollin ndaj pandemisë. Sepse tregon që nuk ka plan.
Nuk e luftojmë dot pandeminë dhe nuk e fitojmë dot betejën për të mposhtur pandeminë dhe për të shpëtuar jetë njerëzish me vendime kuturu”.
Basha kërkoi pajisjen e spitaleve “me paisjet e mjaftueshme, të oksigjenimit, me mjekët, me infermierët”. Ai tha se nëse Kryeministri Rama do të kishte dëgjuar këshillat e tij për hapjen e spitaleve rajonale, “nuk do të ishim në këtë gjendje kolapsi ku ndodhemi sot”.
Ai e akuzoi Ramës se po fsheh numrat e të vdekurve për të fshehur dështimin:
“Për të fshehur dështimin, kemi arritur deri tek manipulimi dhe fshehja e numrit të viktimave. Kjo nuk e fsheh fatkeqësinë”
Për këto arsye, Basha tha se vendit i duhet “një qeveri e përgjegjshme”. Gjithashtu, ai e akuzoi Ramën se “nuk ka plan, janë pa plan. Dhe pa plan, nuk mund të përballemi me pandeminë”.