PD dhe LSI do të kenë një program të përbashkët qeverisës, pjesë e të cilit është bërë public. Kështu pohoi kryetari i PD-së Lulzim Basha në një bisedë me Nisida Tufën në Neës 24, të shtunën.
“Padyshim që të dyja forcat politike dhe të gjithë aleatët tanë po punojnë prej kohësh siç ju thashë për ofertën tonë qeverisje. Pjesë të këtij programi ka kohë që Partia Demokratike i ka diskutuar me grupet e interesit, në veçanti aspektin ekonomik të programit, taksën e sheshtë, subvencionet për fermerët, planin tonë për arsimin”, tha Basha.
Edhe pse u pyet me këmbëngulje nga gazetarja nëse do të garojnë me një listë tëpërbashkët në zgjedhjet e 2021, Basha e anashkaloi përgjigjen duke mbetur në deklarat të përgjithshme mbi unitetin dhe bashkimin e opozitës:
“Opozita është e bashkuar ne çdo aspekt, në aspektin e strategjisë, të programit, të taktikave”.
Basha tha se nuk do t’i harrojë ata që kanë bërë opozitën e opozitës:
“Në qofte se ke mbyllur gojën në kohën kur opozita përballej me të keqen, ti i ke bërë fresk kryeministrit apo ke bërë opozitën e opozitës askush nuk harron”.