Rama pas takimit me ‘bosin’ e Pfitzer: Kërkesa e lartë, vaksinimi nis në shkurt

Nga Exit News
Rama pas takimit me ‘bosin’ e Pfitzer: Kërkesa e lartë, vaksinimi nis në shkurt

Pas takimit me drejtuesin e kompanisë Pfizer në SHBA, kryeministri Rama njoftoi sot se ka një kërkesë të lartë në botë për këtë vaksinë.

Ai premtoi se, falë takimeve të tij në SHBA, shqiptarët do të nisin të vaksinohen brenda shkurtit, dhe se ai nuk do t’i rreshtë përpjekjet për të siguruar takime me drejtorë të tjerë kompanish, përfshi kompanitë Moderna dhe Astra Zeneca.

Kryeministri lajmëroi se udhëtoi për në SHBA katër ditë më parë për të siguruar vaksina për shqiptarët pas takimeve “sy më sy” me drejtuesit më të lartë të kompanive amerikane.

Nuk është e qartë se sa takime ka zhvilluar Rama në këto katër ditë, përvec atij me “bosin” e Pfizer-it.

E paqartë mbetet edhe nëse këto takime dhanë ndonjë rezultat konkret, përvec “hapjes se kanalit te komunikimit” me Pfitzer-in. Rama nuk tregoi nëse siguroi vaksina prej tyre, sa vaksina, me cilin cmim dhe me cilin afat dorëzimi.

Shqipëria është pjesë e një nisme të BE-së, që do të shpërndajë vaksinat në mënyrë të drejtë mes pjesëmarrësve në të.

Rama nuk ka shpjeguar as arsyet se pse është i domosdoshëm takimi i tij me drejtuesit e kompanive, ndërkohë që drejtuesit e vendeve të tjera nuk duket se kanë ndjekur të njëjtin plan për të siguruar vaksinat.

“Takimi pozitiv me bosin e Pfeizer, Albert Burla, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju Jork, përmbylli komunikimet tona të kësaj vizite kërkimore për të siguruar vaksinën për Shqipërinë – një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet e një kërkese globale marramendëse.

Prodhimi është ende shumë më i ulët se sa kërkesa botërore! Por ambicia jonë është mos mbetemi mbrapa në radhën e stërgjatë të shteteve që kërkojnë vaksinën! Përveç kanalit të sapohapur për vaksinën Pfeizer do hapim në vijim edhe kanalet për vaksinat Moderna dhe Astrazeneca.

Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin! Duke e pamundur po ne do t’ia dalim, pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat!”, shkruan kryeministri në Twitter.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>