Kryeministri Rama ka hedhur sërish akuza ndaj presidentit Meta për organizimin e dhunës në protestën e ditës së mërkurë dhe të enjte për vrasjen e Klodian Rashës.
Gjatë vizitës në QSUT, të policëve të lënduar gjatë protestës, Rama tha se polici që rrezikon të humbasë syrin është “sa për një mijë” ndësa numri i protestuesve të plagosur nuk duhet stërzmadhuar.
“Këto dhjetërat bëni mirë t’i shikoni dhe evidentoni dhe të mos i stërzmadhoni. Këtu eshte një sa për një mijë që po humb dritën e syve.”, tha Rama.
Kryeministri drejtoi gishtin nga presidenti Meta dhe nga ish-kryeministri Berisha si organizatorë të dhunës. Ai akuzoi LSI-në se po përdor minorenët duke i paguar për t’i vënë zjarrin kryeqytetit.
“Prova janë fjalët e Presidentit të Republikës së bashku me atë që ka qenë President dhe ish-kryeministër që sot e gjithë ditën është krenar që ka vrarë njerëz dhe u tregon shqiptarëve se dhuna është rruga për të ecur përpara. Prova janë ata minorenë që janë manipuluar dhe abuzuar. Dhe patjetër edhe të joshur edhe me para për të marrë rrugët për të bërë atë që bëjnë pa qenë të vetëdijshëm. Partia e presidentit përdor minorenët për t’i vënë zjarrin kryeqytetit të vendit”, tha Rama për gazetarët.