Kryetarja e Bashkisë Shkodër ka denoncuar të enjten në Prokurori, Policinë e Shkodrës pas protestës, për mosruajtje të rendit.
Ademi ka kërkuar “procedimin penal të punonjësve dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit” pasi, sipas saj, kanë shpërdoruar detyrën.
Më herët ajo u distancua nga dhuna e ushtruar në protestë.
Ademi deklaroi se dhuna ndaj selisë së Partisë Socialiste nuk është ajo që shkodranët mbështesin, duke theksuar se nuk kanë nxitur urrejtje politike mes qytetarëve.
“Si qytetarja e parë e Shkodrës kisha përgjegjësinë të isha sot me shkodranët e revoltuar nga arbitrartieti që çon deri në vrasje, e shtetit policor të ndërtuar nga Edi Rama në këto 7 vjet. Thyerja e selisë së Partisë Socialiste nuk është ajo që ne duam dhe ajo që ne shkodranët mbështesim”, deklaroi ajo.
Në kallëzimin e saj, Ademi pohon se ka njoftuar autoritet për të ndaluar dhunën që po ushtrohej ndaj selisë së PS.
Sipas Ademit, “policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim”.
Ademi pretendon se policia nuk i është përgjigjur thirrjes së saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.