Hyseni: Qeverisë i intereson t’i bëjë investimet, jo t’i reklamojë ato

Nga Exit News
Hyseni: Qeverisë i intereson t’i bëjë investimet, jo t’i reklamojë ato

Deputeti socialist Alket Hyseni deklaroi, të martën, se vendimi i KQZ-së për të ndaluar reklamimin e punimeve nga qeveria 4 muaj para zgjedhjeve, nuk do të thotë se puna do të ndalojë.

Në një intervistë për Report Tv, deputeti Hyseni tha se për shumicën socialiste ka rëndësi puna, jo reklamimi i tyre:

“Ndryshimet kufizojnë ekzekutivin nga reklamimi i një sërë punësh, nuk na shqetëson kjo gjë sepse e rëndësishme është ti bësh punët e mira. Kjo nuk do të thotë që do të ndërpriten punët, pak rëndësi ka nëse do bëhet shoë për reklamimin e tyre apo jo.”

Hyseni tha se ndryshimet që KQZ ka propozuar vijnë si pasojë e marrëveshjes së 5 qershorit me opozitën. Ai theksoi se në kushte normale, këto ndryshime nuk do të pranoheshin nga socialistët:

“Nuk është një draft që erdhi si rrufe në qiell të hapur, rrjedh nga marrëveshja e 5 qershorit që kemi bërë. Ndryshimet i kemi bërë me koshiencë, pavarësisht se nuk kushte normale ne nuk do t’i pranonim.”

Ditët e fundit, KQZ ka propozuar që kryeministrit dhe ministrave t’i ndalohet të marrin pjesë në prezantime projektesh dhe investimesh, dhurime banesash ose shpërdarje legalizimesh 4 muaj para zgjedhjeve.

Nëse ky ligj do të miratohet,  prej 25 dhjetorit, zyrtarëve më të lartë të vendit iu ndalohet të bëjnë propagandë me iniciativat shtetërore.

Konkretisht ata e kanë të ndaluar të marrin pjesë në promovimin e projekteve ose investimeve në transport, energji, mjedis, shëndetësi, kulturë dhe arsim.

Gjithashtu ndalohet të reklamohen objekte të rindërtuara ose në proces rindërtimi për shkak të fatkeqësive natyrore dhe shpërndarja publike e lejeve të legalizimeve.

Lista e zyrtarëve që iu referohet KQZ përfshin: kryeministrin, zëvendëskryeministrin, ministrat dhe zëvendësministrat, kryetarët dhe nënkryetarët e bashkive, drejtorët e përgjithshëm të agjencive, apo shoqërive si OSHEE, Ujësjellës, Posta, etj.

Qeverisë i ndalohet të marrë vendime për rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve.

Gjatë kësaj periudhe 4 mujore, qeveria dhe institucionet e tjera do të duhet të njoftojnë KQZ-në 5 ditë para për çdo aktivitet.

Nëse Komisioneri Shtetëror do t’i vlerësojë si të ndaluara, ato duhet të anulohen dhe nuk lejohet transmetimi i tyre në media.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>