Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha të mërkurën se partia e tij, LDK, është më e favorizuara për të fituar zgjedhjet.
“Jemi në përgatitje për të shkuar në zgjedhje. Nëse i shihni veprimet që i kemi ndërmarrë për 6-7 muaj në krye të qeverisë ne jemi favoriti kryesor për të fituar këto zgjedhje. Ju e dini si e kemi gjetur vendin plotësisht të bllokuar, me sanksione ndërkombëtare”, tha Hoti.
Ai u shpreh se qeveria e tij e ka menaxhuar mirë pandeminë e sipas tij, kjo do e favorizojë në zgjedhje.
“ E kemi hapur komplet, e kemi menaxhuar pandeminë në mesin e 3-4 vendeve që e ka menaxhuar më së miri. Unë jam i bindur që jemi favoriti për t’i fituar zgjedhjet, tash kemi përpara për të përgatitur një listë”, deklaroi Hoti në hapjen e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtendërtimi 1989-1999”.
Qeveria Hoti u formua pas rrëzimit të qeverisë Kurti. LVV doli partia e parë në zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë në tetor 2019. Koalicioni mes LVV de LDK nuk rezistoi, e për pasojë qeveria Kurti u rrëzua në Parlament me 82 vota.
Qeveria e re e Hotit, u formua me anë të koalicionit mes LDK, AAK, Nisma, parti të pakicave si edhe listën serbe.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë Hoti të pavlefshme.
Vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, i cili mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, numri minimal i votave të kërkuara.