Turqia do të rrisë bashkëpunimin me Kosovën në ekonomi dhe mbrojtje tha të hënën ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu pas një takimi në Ankara me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.
Çavusoglu tha se gjatë takimit theksi u vu tek bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve ku sipas tij “ka ende hapësirë për përmirësim”, raporton agjencia shtetërore të lajmeve në Turqi, Anadollu.
Duke deklaruar se kompanitë turke ofrojnë punë për 10,000 njerëz në Kosovë, Çavusoglu tha se ata synojnë të rrisin këtë numër në të ardhmen duke inkurajuar kompanitë për të rritur investimet turke në Kosovë dhe për të forcuar fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit ushtarak.
Ministrja në detyrë, Haradinaj-Stublla tha se në takim është diskutuar edhe për qasjen e Kosovës në vaksinën kundër COVID19. Sipas saj, Turqia ka ofruar mbështetje për bashkëpunim të ngushtë në këtë drejtim.
Mediat në Turqi raportojnë se Çavusoglu ka kërkuar nga Kosova që të vazhdojë bashkëpunimin kundër lëvizjes “Feto”, duke e quajtur atë një rrezik edhe për Kosovën.
Në vitin 2018 Kosova dëboi 6 persona të kërkuar nga Turqia duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe kritika të ashpra nga BE-ja dhe SHBA-të për shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe dhunim të të drejtave të njeriut.
Kryeministri Ramush Haradinaj në atë rast shkarkoi kreun e shërbimeve sekrete të vendit si dhe ministrin e Brendshëm duke pretenduar se nuk kishte pasur dijeni për dëbimin.
Lëvizja e “Feto” konsiderohet organizatë terroriste në Turqi, Pakistan dhe disa nga vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam. Vetë udhëheqësi i kësaj lëvizjeje jeton në SHBA, të cilat kanë refuzuar kërkesat e Erdogan për arrestim dhe ekstradim të tij deri në momentin ku akuzat për aktivitet terrorist mbeten të paprovuara.
Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Kosovës në shkurt të vitit 2019 pati identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq, në mars të vitit 2018.