Në Itali është identifikuar një variant i ri i koronavirusit, i ngjashëm me atë që po qarkullon në Mbretërinë e Bashkuar.
Rasti është izoluar në laboratorin e Breshias ku edhe po studiohet, raporton ANSA.
Në fakt, varianti italian i paraprin atij të Anglisë pasi është zbuluar në muajin gusht tek një pacient asimptomatik, thotë profesori Arnaldo Caruso, president i Shoqatës Italiane të Virologjisë, Profesor i Mikrobiologjisë në Universitetin e Brescia dhe drejtor i Laboratorit të Mikrobiologjisë dhe Virologjisë së “Spedali Civili”.
Sipas mjekut, varianti i ri është i ngjashëm me atë të zbuluar në Angli në fund të shtatorit por nuk dihet ende sa i përhapur mund të jetë ai në Itali.
Sa i përket rezistencës ndaj vaksinës, Caruso mendon se ajo duhet ta parandalojë edhe variantin e ri.
“Ne jemi duke punuar për të kuptuar nëse vaksina është në gjendje të neutralizojë edhe këtë variacion të virusit. Personalisht mendoj se po, por ne ende nuk e kemi verifikuar atë”.