Kryeministri Edi Rama akuzoi të hënën presidentin Ilir Meta se po bllokon fondet për ndërtimin e rrugës që do të lidhë Vlorën me Radhimën dhe Orikumin.
Gjatë një vizite në Vlorë, Rama u shpreh se qeveria po pret miratimin e presidentit për këtë investim që prej nëntorit.
“Tani ne s’kemi dashur të bëjmë debat publik për këtë, por është fakt që qysh nga fillimi i nëntorit presim plotfuqinë një autorizim të Presidentit, pasi kemi bërë gjithë negociatën me fondin saudit. Është bllokim total, sepse në momentin që nuk jepet plotfuqia ne nuk e materializojmë dot.Tani e ka marrë vesh gjithë Vlora që e bllokon projektin Ilir Meta, që nuk e di çfarë ka, ose e di çfarë ka, po nuk dua të merrem. Është një bllokim absurd. Por ne e kemi premtuar projektin për Radhimën.”
Të njëjtin shqetësim ngriti dhe kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli i cili u shpreh se ka një shqetësim në rritje të opinionit për bllokimin nga Presidenti të fondeve të garantuara.