Kosova ka siguruar 500 mijë vaksina kundër koronavirusit.
Lajmin e bëri të ditur të hënën, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili tha se Kosova ka siguruar 500 mijë vaksina nga kompania Pfizer. Nga e njëjta kompani do të marrë vaksinat edhe Shqipëria.
Konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave ua kanë dhënë përfaqësuesit e Pfizer gjatë një takimi virtual të mbajtur të hënën, tha në Facebook ministri Zemaj.
Zemaj u shpreh:
“Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë mbesin të përkushtuara që qytetarëve tanë t’u sigurojmë mbrojtje përmes vaksinimit gjithëpërfshirës kundër Covid-19.”
Kosova do të marrë nga mekanizimi Covax edhe 360 000 vaksina falas për 20 për qind të popullatës, tha ndër të tjera ministri dhe shtoi se “vaksina do të sigurohen për të gjitha grupet e popullatës që duhet të mbulohen me vaksinim sipas projeksioneve të IKSHPK-së. Vaksina kundër COVID-19, do t’u jepet falas qytetarëve të vendit tonë”.