Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi premtoi të martën se nëse LSI vjen në pushtet, do të krijojë më shumë mundësi punësimi për gratë si dhe do të rrisë peshën e tyre në vendimmarrje.
Të martën ajo bëri një takim në Fier, nga ku tha:
“Unë e kam besim të patundur që gruaja është elementi më zhvillues në shoqërinë e një vendi. Dhe në fakt gratë dhe vajzat gjithmonë LSI-së i kanë dhënë ngjyrën, i kanë dhënë sharmin, një atmosferë të jashtëzakonshme në momentet më të vështira. Dhe sigurisht që ne duam të krijojmë hapësira pafundësisht për to, jo vetëm në politikë, por edhe në vendimmarrjet sa i përket arsimit, shkencës”.
Ajo tha se një nga problemet që kanë gratë dhe vajzat në qytetin e Fierit është çështja e punësimit dhe fuqizimi ekonomik i tyre. Kryemadhi deklaroi se:
“Mundësia për të angazhuar vajzat dhe gratë e Fierit në politikë është shumë e madhe. Keni shembull Kejdin, që ua kemi peshkuar ne nga Tirana. Tani duhet t’iu nxisim juve që t’iu përfshijmë sa më shumë”.
Kryetarja e LSI ka kryer disa takime, kryesisht me të rinjtë që janë pjesë e LSI, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 25 prillit. Kryemadhi ka pohuar se do të kandidojë të paktën në dy qarqe, Fier dhe Elbasan.