Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli ka shprehur mbështetjen për Shqipërinë dhe integrimin e saj drejt BE-së.
Përmes një letre për kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, Sassoli u shpreh:
“Kam ndjekur nga afër përparimin që ka bërë Shqipëria drejt integrimit të saj në Bashkimin Europian.
Të jeni të sigurtë se Parlamenti Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE.”
Letra e Sassolit vjen në një moment kur Shqipëria po pret vendimin e vendeve të BE-së për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.
Mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare shënon hapjen praktike të negociatave me BE-në.
Fillimisht ishte menduar që kjo konferencë për Shqipërinë do të organizohej brenda vitit 2020. Por në muajt e fundit të vitit drejtues të lartë të BE-së dhe liderë europianë deklaruan se gjasat që kjo të ndodhte ishin të ulta.
Po ashtu Ambasadorët e vendeve anëtare në Bashkimin Evropian u shprehën se Shqipëria nuk është ende gati për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, pasi ka ende punë për të bërë për kushtet e vëna në mars 2020.