Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti nuk kanë arritur konsensus për drejtorin e ri të Agjensisë së Inteligjencës të Kosovës (AKI).
Sipas Radio Evropa e Lirë, javën e kaluar ishte afati fundit kur Osmani dhe Hoti duhet të dakortësonin mbi drejtuesin e AKI.
Sipas Ligjit për AKI-në, Presidenti së bashku me kryeministrin emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së “brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.
Me 17 dhjetor, vendi i drejtorit të AKI mbeti i lirë pasi Hoti kërkoi dorëheqjen e ish drejtorit, Kreshnik Gashi.
Vendimi u mor në koordinim me zyrën e presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani.
Asnjë nga këto institucione, të cilët emërojnë dhe shkarkojnë shefin e Inteligjencës, nuk dhanë detaje të mëtejshme në lidhje me këtë kërkesë.
Gashi u emërua si shef i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës më 25 nëntor të vitit të kaluar, nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Më parë, Kreshnik Gashi ka mbajtur postin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullator për Komunikimet Elektronike dhe Postare të Kosovës.