Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Ballkani Perëndimor do të marrë vaksina nga BE sa më shpejt të jetë e mundur, gjatë mbledhjes së javës së kaluar në Bruksel, ndërsa udhëheqësit e Unionit kërkuan më shumë solidaritet për vendet e treta.
Sipas Von der Leyen, sistemi COVAX, aktualisht ka probleme në prokurimin e vaksinave. Sidoqoftë, ajo shtoi se BE po krijon “një korsi tjetër” për të dhuruar doza për vendet e Ballkanit Perëndimor direkt nga shtetet anëtare të BE.
“Unë propozova një mekanizëm të BE me të cilin ato vende do të kenë akses në një pjesë të vaksinave nga rezervat tona. Ne mund dhe do të duhet ta bëjmë atë pa ndërprerë fushatat tona kombëtare të vaksinimit dhe në koordinim me kompanitë farmaceutike, ”tha Von der Leyen pas samitit të liderëve të BE.
Ajo shtoi se të ndihmosh vendet e treta për të marrë vaksina është në interes të vetë BE-së.
“Sa më gjatë që virusi qarkullon nëpër botë, aq më i madh është rreziku i mutacioneve dhe aq më i madh rreziku për shëndetin tonë. Kjo është arsyeja pse është në interesin tonë të ndajmë vaksinat me rajone të tjera të botës në një fazë të hershme, ” vuri në dukje Von der Leyen.
Javën e shkuar, Komisioni Europian njoftoi se do të krijojë një mekanizëm për të siguruar shpërndarjen e vaksinave nga vendet anëtare të BE-së drejt kategorive të rrezikuara të vendeve të Ballkanit Perëndimor.