Bashkimi Europian dhe kompania AstraZeneca nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për të shpërndarë në kohë, vaksinat e porositura nga BE.
Eurokomisionerja për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore, Stella Kyriakides njoftoi në Twitter se në takimin mes përfaqësueve të BE-së dhe drejtuesit të AstraZenecas, Pascal Soriot nuk pati dakordësi, pavarësisht ‘bisedës konstruktive’.
“Kërkojmë një plan të qartë nga AstraZeneca për shpërndarjen e shpejtë të vaksinave që kemi rezervuar për tremujorin e parë. Ne do të punojmë me kompaninë për të gjetur zgjidhje dhe për të shpërndarë vaksina me shpejtësi për qytetarët e BE-së’, u shpreh eurokomisionerja.
Në 22 janar, kompania AstraZeneca njoftoi se do të shpërndajë më pak se gjysmat e dozave të vaksinës nga sa kishte parashikuar fillimisht drejt vendeve të BE-së, për shkak të një defekti në prodhim.
Kjo ka shkaktuar zemërim në shumë vende të BE-së, të cila njëkohësisht po hasen dhe me vonesa në shpërndarjen e vaksinës nga kompania tjetër Pfizer.
BE i propozoi kompanisë që të dërgonte në Europë një pjesë të vaksinave që ka prodhuar për Mbretërinë e Bashkuar.
Por në një intervistë për La Repubblica të martën, shefi i AstraZenecas tha se BE e nënshkroi tre muaj më vonë se Britania e Madhe marrëveshjen për blerjen e vaksinës, ndaj nuk mund të ketë prioritet.